Skip to content
Tafsir As-Saadi · Al-Baqara
Sūrah 2

Al-Baqara

This is a tafsīr in a language other than Arabic as the Quranic Universal Library (QUL, by Tarteel) has it, taken through the open copy of QUL’s data that spa5k/tafsir_api keeps. QUL’s record does not say who wrote or translated it or which printed edition it follows, and states no licence for the text, so the right to show it is not verified. Nobody has compared it with a printed book, and no scholar has reviewed it. Each passage stands beside the verses it comments on, which are the Qur’ān text of Tanzil, shown as it is there. Sabīl did not write or translate any of it.

Text fromQuranic Universal Libraryspa5k/tafsir_apiMITtaken 2026-10-21

Verse 6

إِنَّ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ سَوَآءٌ عَلَيْهِمْ ءَأَنذَرْتَهُمْ أَمْ لَمْ تُنذِرْهُمْ لَا يُؤْمِنُونَ 6

Nuk ka dyshim se për ata që mohojnë Besimin, është njëlloj: i paralajmërove apo nuk i paralajmërove, ata nuk besojnë. – Këtu Allahu i Madhëruar na flet rreth një kategorie njerëzish, që e kanë mohuar Atë. Cilësia dalluese e tyre është mohimi (kufr), i cili është bërë tipar dhe veçori e pandashme e shpirtit të tyre. I Madhëruari na tregon se këta (lloj njerëzish) nuk i kthen asgjë pas nga mohimi i tyre. Ndaj tyre nuk bën dobi asnjë lloj qortimi dhe vërejtjeje. Çfarëdo që të bësh, ata do të vazhdojnë në kufr-in e tyre. Për ta është njëlloj: i qortove apo jo, ata nuk e gjejnë rrugën e besimit. Kuptimi thelbësor i kufr-it është pikërisht refuzimi dhe mospranimi i kumtit që përcolli Profeti (a.s.), qoftë edhe i një pjese sado të vogël të tij. Ftesa në rrugën e besimit për këta mohues nuk ka asnjë lloj ndikimi tek ata, përveç faktit që ata humbasin të drejtën e justifikimit para Zotit. Sqarimi i gjithçkaje rreth besimit nuk u lë atyre asnjë hapësirë argumentuese përpara Krijuesit për mohimin dhe refuzimin e tyre. Me sa duket, me këtë ajet, Allahu i Madhëruar kërkonte ta bindte Profetin (a.s.) që të hiqte dorë nga ideja se ata mund të besonin dhe të mos ndiente keqardhje dhe trishtim për refuzimin dhe mohimin e tyre. Pastaj Allahu i Madhëruar tregon shkaqet që i pengojnë ata të besojnë, duke thënë: