Ibrahim
یہ عربی کے سوا کسی اور زبان میں ایک تفسیر ہے جیسا Quranic Universal Library (QUL، از Tarteel) کے پاس ہے، QUL کے ڈیٹا کی اس کھلی نقل سے لیا گیا جو spa5k/tafsir_api رکھتا ہے۔ QUL کے اندراج میں یہ نہیں بتایا گیا کہ اسے کس نے لکھا یا ترجمہ کیا اور وہ کس چھپے ہوئے ایڈیشن کی پیروی کرتی ہے، اور متن کے لیے کوئی لائسنس بیان نہیں کیا گیا، اس لیے اسے دکھانے کا حق تصدیق شدہ نہیں۔ کسی نے اسے چھپی ہوئی کتاب سے نہیں ملایا اور کسی عالم نے اس کا جائزہ نہیں لیا۔ ہر حصہ ان آیات کے ساتھ ہے جن پر وہ تبصرہ کرتا ہے، اور وہ آیات Tanzil کا قرآنی متن ہیں، جیسا وہاں ہے۔ سبیل نے اس میں سے کچھ نہیں لکھا اور نہ اس کا ترجمہ کیا۔
متن ماخوذ ازQuranic Universal Libraryspa5k/tafsir_apiMIT2026-10-21 کو لیا گیا
قَالَتْ لَهُمْ رُسُلُهُمْ إِن نَّحْنُ إِلَّا بَشَرٌ مِّثْلُكُمْ وَلَـٰكِنَّ ٱللَّهَ يَمُنُّ عَلَىٰ مَن يَشَآءُ مِنْ عِبَادِهِۦ ۖ وَمَا كَانَ لَنَآ أَن نَّأْتِيَكُم بِسُلْطَـٰنٍ إِلَّا بِإِذْنِ ٱللَّهِ ۚ وَعَلَى ٱللَّهِ فَلْيَتَوَكَّلِ ٱلْمُؤْمِنُونَ 11
Të dërguarit u thanë: “Ne jemi veçse njerëz, sikurse edhe ju, por Allahu ia dhuron mirësinë kujt të dojë nga robërit e Vet. -Kuptimi: Po, është e vërtetë se ne jemi njerëz njëlloj si ju, por kjo nuk do të thotë që, për këtë shkak, ju të refuzoni Shpalljen dhe të vërtetën që ne sollëm nga Allahu, sepse Allahu ia dhuron mirësinë kujt të dojë nga robërit e Vet. Nëse Allahu na ka dhuruar mirësinë e madhe të Shpalljes dhe të frymëzimit nga ana e Tij, atëherë kjo është bamirësi dhe bujari e Tij, dhe askush nuk mund ta kufizojë Zotin në mirësitë që Ai dhuron. Kështu, shikojeni me kujdes Shpalljen, që sollëm ndër ju! Nëse e shihni si të vërtetë, atëherë pranojeni dhe nënshtrohuni ta adhuroni Zotin sipas saj! E nëse nuk e pranoni si të tillë, atëherë mos nxirrni arsyetime të kota, duke thënë se, meqenëse ne jemi njerëz sikurse dhe ju, kjo justifikon rrefuzimin e Shpalljes së Zotit. Ndërsa për sa u përket ajeteve dhe mrekullive që ju propozoni dhe na kërkoni, dijeni se ne nuk kemi asgjë në dorë:Nuk na takon neve t’ju sjellim ndonjë argument, përveçse me dëshirën e Allahut. -Nëse Zoti dëshiron, Ai jua sjell ato shenja dhe mrekulli, por nëse nuk dëshiron, nuk jua sjell. Për diçka të jeni të sigurt, Zoti vepron veçse atë që e gjykon si të drejtë urtësia dhe mëshira e Tij. Prandaj:Vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët.” -Vetëm Allahut, dhe askujt tjetër, duhet t’i mbështeten dhe të shpresojnë besimtarët. Vetëm tek Ai duhet ta gjejnë mbështetjen dhe forcën për arritjen e të mirave dhe largimin e të këqijave. E si mund të veprojnë ndryshe besimtarët, kur ata e dinë mirë se Allahu i Lartësuar është plotësisht i mjaftueshëm dhe i pushtetshëm? Bamirësia e Tij është gjithëpërfshirëse, prandaj ata të jenë të sigurt dhe të qetë se Ai do t’ua lehtësojë arritjen e mirësive dhe do t'u japë forcë dhe mbështetje në realizimin e tyre. Në varësi të imanit është edhe mbështetja dhe besimi i plotë në ndihmën e Zotit. Nga kjo kuptohet se mbështetja (teuekul) e plotë tek Allahu i Lartësuar është detyrë dhe prej domosdoshmërive të besimit. Gjithashtu, ajo është nga adhurimet e mëdha dhe të rëndësishme, të cilat i do dhe i pëlqen Allahu i Lartësuar, sepse çdo adhurim tjetër lidhet ngushtë dhe ndërtohet mbi të. Në vijim, profetët e Zotit thoshin: