Langkau ke kandungan
Tafsir As-Saadi · Al-Baqara
Surah 2

Al-Baqara

Ini ialah sebuah tafsir dalam bahasa selain bahasa Arab seperti yang ada pada Quranic Universal Library (QUL, oleh Tarteel), diambil melalui salinan terbuka data QUL yang disimpan oleh spa5k/tafsir_api. Rekod QUL tidak menyatakan siapa yang menulis atau menterjemahkannya atau edisi cetakan mana yang diikutinya, dan tidak menyatakan lesen bagi teks itu, maka hak untuk memaparkannya belum disahkan. Belum ada sesiapa yang membandingkannya dengan buku bercetak, dan tiada ulama yang menyemaknya. Setiap bahagian berada di sisi ayat-ayat yang diulasnya, iaitu teks Al-Quran daripada Tanzil, dipaparkan seperti yang ada di sana. Sabīl tidak menulis atau menterjemahkan satu pun daripadanya.

Teks daripadaQuranic Universal Libraryspa5k/tafsir_apiMITdiambil pada 2026-10-21

Ayat 263

قَوْلٌ مَّعْرُوفٌ وَمَغْفِرَةٌ خَيْرٌ مِّن صَدَقَةٍ يَتْبَعُهَآ أَذًى ۗ وَٱللَّهُ غَنِىٌّ حَلِيمٌ 263

Një fjalë e mirë dhe falja janë më të vlefshme se një lëmoshë që shoqërohet me fjalë fyese. -Një fjalë e ëmbël, e pranueshme nga zemra, është më e mirë se një sadaka e shoqëruar me fjalë e vepra fyese. Fjalë e mirë është ajo që e gëzon dhe e qetëson zemrën e tjetrit. Fjalën e mirë mund t’ia thuash tjetrit edhe kur nuk ke mundësi t’i japësh gjë, ndoshta edhe duke bërë lutje për të. Për sa i përket faljes, kuptimi është që ta falësh atë që sillet e flet keq kundër teje, sepse kjo është madhështore. Të mos ndërmarrësh masa ndëshkuese kundër atij që të dëmton, por përkundrazi ta falësh, është vërtet një cilësi e rrallë. Shpesh lypësi mund të të ofendojë me ndonjë fjalë apo veprim të tijin, por falja dhe justifikimi i tij ka shumë shpërblim. Kështu, fjalët e mira dhe falja e të tjerëve janë më të çmuara sesa sadakaja e shoqëruar me mburrje. Edhe fjalët e mira janë një lloj sadakaje. Që të dyja bashkë, fjala e mirë dhe falja e të tjerëve janë bamirësi, të cilat nuk kanë asnjë të keqe në vete. Nga ajeti kuptohet se sadakaja që nuk pasohet me të përmendur dhe me mburrje është më e mirë se fjalët e mira dhe falja. Kjo tregon se sa e keqe është të përmendurit e sadakasë dhe mburrja me të. Ajo është haram dhe e shkatërron shpërblimin e sadakasë. Arsyeja është se merita për dhurimin e mirësive i takon vetëm Allahut. Kur i vetmi dhurues dhe bamirës është Allahu i Lartësuar, atëherë si mund t'ia përmendësh tjetrit mirësitë që i ke bërë dhe të lëvdohesh?! A po lëvdohesh me mirësitë dhe dhuratat e Allahut?! Nga ana tjetër, ai që mburret dhe e përkujton mirësinë e vet kërkon me këtë sjellje që t'i mbajë të përulur nën vete ata të cilëve u ka dhënë, por edhe kjo i takon vetëm Allahut. Me fjalë të tjera, përulja, nënshtrimi dhe bindja bëhen vetëm ndaj Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar është i pasur dhe nuk ka nevojë për adhurimin e askujt, ndërsa çdo gjë tjetër është e varfër dhe nevojtare. Çdo gjë ka nevojë për mëshirën dhe mirësinë e Tij në të gjitha drejtimet, kohët, gjendjet. Pra, duhet kuptuar mirë se, çdo adhurim e vepër të mirë që kryejmë është thjesht për të mirën dhe dobinë tonë. Ne duhet të përpiqemi që të mos i shkatërrojmë adhurimet tona me ato vepra që prishin dhe asgjësojnë shpërblimet e adhurimeve, sepse kështu nuk i bëjmë dëm askujt tjetër, veç vetes sonë. Më tej, i Lartësuari thotë:Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Butë. -Allahu i Lartësuar është i Vetëmjaftueshëm (Ĝanijun), që nuk ka nevojë për asgjë: as për adhurimet dhe as për veprat tona të mira. Por Ai është edhe i Butë (Ĥalîm) ose tolerues kundrejt atij që bën gabime dhe nuk bindet, edhe pse është i plotfuqishëm mbi krijesat e Tij. Ai nuk nxitohet për t'i ndëshkuar ato, edhe pse e meritojnë një ndëshkim të tillë. Mëshira, butësia dhe bamirësia e Tij janë aq të mëdha, saqë bëjnë që Ai kurrë të mos nxitohet për t'i ndëshkuar të pabindurit dhe gjynahqarët. Allahu i afatizon ata dhe ua sqaron argumentet e madhështisë së Tij, që ata të mund të kthehen të penduar dhe të nënshtruar. Megjithatë, kur ata nuk kanë në vetvete asnjë mirësi të vogël, sa të shpresohet ndreqja e tyre, kur atyre nuk u bëjnë më dobi shenjat dhe argumentet e qarta të Zotit, atëherë ndëshkimi i Tij mbi ta bëhet i pakthyeshëm. Në këtë rast, ata nuk mund t'i shpëtojnë më ndëshkimit të të Urtit e të Drejtit dhe kurrë nuk do të shpërblehen dhe nuk do të shijojnë mirësitë e Tij.