Aal-i-Imraan
Voici un tafsîr dans une autre langue que l’arabe, tel que la Quranic Universal Library (QUL, de Tarteel) le donne, pris dans la copie ouverte des données de QUL que conserve spa5k/tafsir_api. La fiche de QUL ne dit ni qui l’a écrit ou traduit ni quelle édition imprimée il suit, et n’indique aucune licence pour le texte, si bien que le droit de le montrer n’est pas vérifié. Personne ne l’a comparé à un livre imprimé, et aucun savant ne l’a relu. Chaque passage se tient à côté des versets qu’il commente, qui sont le texte coranique de Tanzil, montré tel qu’il y est. Sabīl n’en a rien écrit ni traduit.
Texte deQuranic Universal Libraryspa5k/tafsir_apiMITpris le 2026-10-21
مَا كَانَ لِبَشَرٍ أَن يُؤْتِيَهُ ٱللَّهُ ٱلْكِتَـٰبَ وَٱلْحُكْمَ وَٱلنُّبُوَّةَ ثُمَّ يَقُولَ لِلنَّاسِ كُونُوا۟ عِبَادًا لِّى مِن دُونِ ٱللَّهِ وَلَـٰكِن كُونُوا۟ رَبَّـٰنِيِّـۧنَ بِمَا كُنتُمْ تُعَلِّمُونَ ٱلْكِتَـٰبَ وَبِمَا كُنتُمْ تَدْرُسُونَ 79
Profeti (a.s.) i urdhëroi ithtarët e Librit që ta besonin atë si Profet dhe t’i bindeshin atij plotësisht në udhëzimet e sjella prej Zotit. Por ata e shpërfillën dhe e keqpërdorën këtë ftesë bujare. Ata i thanë atij: “O Muhamed, a mos do që ne të të adhurojmë edhe ty bashkë me Allahun?” Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti këto ajete, për të hedhur poshtë fjalët e tyre:Nuk ka ndodhur ndonjëherë që Allahu t’i ketë dhënë dikujt Librin, urtësinë dhe profetësinë, dhe pastaj ai t’u thotë njerëzve: “Bëhuni adhurues të mi e jo të Allahut!” -Pra, është e pamundur që një njeri, të cilit Allahu i Lartësuar i ka bërë mirësi duke i dhuruar një Libër hyjnor, urtësi dhe profetësi, që t’u thotë njerëzve: “Bëhuni adhurues të mi e jo të Allahut!”. Kjo nuk mund të mendohet kurrsesi se mund të kryhet nga ndonjë profet i Allahut. Një urdhër i tillë konsiderohet si nga më të shëmtuarit, ndërsa profetët janë njerëzit më të zgjedhur dhe më të përkryer. E si mund të mendohet që urdhri më i shëmtuar të jepet nga njerëzit më të shkëlqyer?! Pa dyshim që urdhrat kanë të njëjtën natyrë me urdhëruesit e tyre. Kështu, profetët urdhëronin veçse për çështje të larta dhe të mira, siç thotë Allahu i Lartësuar:Përkundrazi, do t'u thotë: “Bëhuni dijetarë dhe edukatorë,... -Pra, profetët nuk ju urdhërojnë kurrë për vepra të shëmtuara e të ulta, porse ata ju urdhërojnë që të jeni dijetarë të urtë e të butë dhe edukatorë të mirë. Ju duhet t’u mësoni njerëzve dije të drejtë dhe të pastër. Ju duhet t’i edukoni ata gradualisht, duke filluar me gjërat të vogla, para të mëdhave. Megjithatë, ju kurrë nuk mund të jeni edukatorë të mirë, nëse nuk e jetësoni dijen që keni marë. Profetët ju urdhërojnë për dije të dobishme, të saktë dhe të drejtë, dhe për të punuar sinqerisht sipas saj. Pastaj, ju duhet të ftoni edhe të tjerët që të punojnë sipas këtij udhëzimi madhështor, të dhuruar nga Zoti i gjithësisë. Me këto tri mënyra mund të arrihet lumturia në të dyja jetët. Dija e saktë dhe e vërtetë, puna sipas saj dhe edukimi i njerëzve me të përbëjnë rrugën e vetme që siguron lumturinë e robit në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Çrregullimet dhe defektet në jetën e njeriut varen nga mangësitë që ai ka në këto tri aspekte. Pastaj Allahu i Lartësuar tregon mënyrën se si të bëhesh edukator dhe se çfarë e ndihmon njeriun për t’u bërë i tillë. Pra, Allahu i Lartësuar jo vetëm që na urdhëron të jemi edukatorë të njerëzimit, por na tregon edhe mënyrën për të qenë të tillë. Ai thotë:Bëhuni dijetarë dhe edukatorë, duke u mësuar njerëzve Librin dhe duke e studiuar vetë atë”. -Jini edukatorë të njerëzimit, dhe të tillë mund të jeni veçse duke u mësuar njerëzve Librin, pasi ta keni mësuar vetë, dhe jo vetëm ta keni mësuar, por ta keni studiuar me kujdes, sepse nëse studion me kujdes e përqendrim, dija zë rrënjë të thella në zemër dhe jep frytet e saj në fjalët dhe në veprat që kryhen. Pastaj, pasi ta keni mësuar dhe studiuar dijen, dhe pasi të keni punuar sinqerisht me të, atëherë mësojani atë të tjerëve. Vetëm kështu mund të jeni edukatorë të njerëzimit, dhe kjo është ajo që kanë urdhëruar profetët e Zotit.