Al-Hajj
Voici un tafsîr dans une autre langue que l’arabe, tel que la Quranic Universal Library (QUL, de Tarteel) le donne, pris dans la copie ouverte des données de QUL que conserve spa5k/tafsir_api. La fiche de QUL ne dit ni qui l’a écrit ou traduit ni quelle édition imprimée il suit, et n’indique aucune licence pour le texte, si bien que le droit de le montrer n’est pas vérifié. Personne ne l’a comparé à un livre imprimé, et aucun savant ne l’a relu. Chaque passage se tient à côté des versets qu’il commente, qui sont le texte coranique de Tanzil, montré tel qu’il y est. Sabīl n’en a rien écrit ni traduit.
Texte deQuranic Universal Libraryspa5k/tafsir_apiMITpris le 2026-10-21
وَهُدُوٓا۟ إِلَى ٱلطَّيِّبِ مِنَ ٱلْقَوْلِ وَهُدُوٓا۟ إِلَىٰ صِرَٰطِ ٱلْحَمِيدِ 24
Ata u udhëzuan për (të folur)fjalët më të mira dhe u udhëzuan në rrugën e Atij që i meriton (të gjitha)lavdërimet. -Këta të zgjedhur janë udhëzuar plotësisht në të gjitha drejtimet: në fjalët, veprat dhe qëllimet e tyre. Allahu thotë: “Ata janë udhëzuar për fjalët më të mira...”. Nuk ka dyshim se fjala më e mirë dhe më e shpërblyeshme që ata thonë është fjala e teuhidit: “La ilahe il-l’Allah!” (Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Allahut). Pastaj vijnë sipas rëndësisë së tyre të gjitha fjalët e tjera, me të cilat kujtohet e lavdërohet Allahu ose që thuhen për bamirësi ndaj krijesave. Më pas, Allahu i Madhëruar thotë: “...dhe janë drejtuar në rrugën e veprave të lavdërueshme.” Pra, rruga e tyre ishte ajo e të lavdëruarve, një rrugë e lavdishme dhe e zgjedhur. Kjo është rruga e tyre, që simbolizon Sheriatin. E gjithë feja e Zotit është e ndërtuar mbi urtësinë dhe është e lavdëruar në të gjitha aspektet. Ajo urdhëron veçse për mirë dhe ndalon nga e keqja. Ajo është një ligj që është i ruajtur si nga teprimi, ashtu edhe nga mangësitë e cenimi. Kjo fe ndërtohet mbi dy baza të forta: dituria e dobishme, e saktë, e vërtetë dhe veprat e mira sipas kësaj diturie e me sinqeritet për Krijuesin. Ky ishte njëri nga kuptimet e ajetit. Pra, në këtë rast epiteti “e lavdishme” është për rrugën. Kështu: “janë drejtuar në rrugën e lavdishme”. Ndërsa kuptimi tjetër është: “janë drejtuar në rrugën e të Lavdëruarit” . Pra, El Hamid merret si cilësi e Allahut. Shpesh Allahu e quan rrugën e drejtë si “Rruga e Tij”, sepse kjo rrugë të çon drejt Allahut, nëse e ndjek me besnikëri e sinqeritet. Përdorimi i emrit të Allahut “El Hamid”, na jep të kuptojmë se këta të zgjedhur janë drejtuar në këtë rrugë nëpërmjet lavdërimit, përlëvdimit e falënderimit të Zotit, por, sigurisht, edhe nëpërmjet mëshirës e bamirësisë së Tij ndaj tyre. Për këtë arsye, këta të lumtur do të thonë në Xhenet: “I lavdëruar qoftë Allahu, i Cili na udhëzoi për këtë (lumturi). Ne kurrë nuk do të mund ta gjenim udhëzimin, sikur të mos na drejtonte Allahu! Vërtet, të dërguarit e Zotit na e sollën të vërtetën!” Dhe ata do të dëgjojnë thirrjen: “Ky është Xheneti, të cilin e trashëgoni si shpërblim për veprat tuaja (të mira)”. [A'raf 43]. Para se të tregonte shpërblimin e vepërmirëve, Allahu i Madhëruar tha se Atij i nënshtrohet gjithçka në qiell dhe në tokë: “A nuk e di se Allahut i nënshtrohet çfarë është në qiej dhe çfarë është në tokë: dielli, hëna, malet, bimët, shtazët dhe shumë njerëz...”. Njerëzit janë besimtarët, që e besojnë, e adhurojnë dhe i nënshtrohen Allahut me vullnetin e tyre të lirë. Më pas thotë: “Por shumë prej tyre e kanë hak dënimin”. Për shkak të mohimit dhe refuzimit të të vërtetës dhe Shpalljes, Allahu nuk ua mundëson që të udhëzohen në imanin e pastër dhe të vërtetë. Kështu, ata e meritojnë që Zoti t’i poshtërojë, prandaj thuhet në vijim: “Atë që e poshtëron Allahu nuk ka kush ta nderojë”. Allahu bën atë që dëshiron. Askush nuk mund ta kthejë e pengojë atë që Zoti dëshiron të jetë dhe askush nuk mund ta refuzojë vullnetin dhe gjykimin e Tij. Është Ai që udhëzon në rrugë të drejtë me urtësinë dhe mëshirën e Tij. Në këto ajete, i Madhëruari na tregon se të gjitha krijesat janë të përulura para madhështisë së Tij, të nënshtruara para krenarisë dhe pushtetit të Tij. Kjo tregon se Ai është i vetmi Zot, që meriton të adhurohet dhe Sunduesi i Lavdëruar. Kush ndjek rrugën e Tij, do të jetë i lavdëruar dhe i nderuar, ndërsa ata që i largohen rrugës së Tij do të jenë të poshtëruar dhe të humbur.