Skip to content
Tafsir As-Saadi · At-Tawba
Sūrah 9

At-Tawba

This is a tafsīr in a language other than Arabic as the Quranic Universal Library (QUL, by Tarteel) has it, taken through the open copy of QUL’s data that spa5k/tafsir_api keeps. QUL’s record does not say who wrote or translated it or which printed edition it follows, and states no licence for the text, so the right to show it is not verified. Nobody has compared it with a printed book, and no scholar has reviewed it. Each passage stands beside the verses it comments on, which are the Qur’ān text of Tanzil, shown as it is there. Sabīl did not write or translate any of it.

Text fromQuranic Universal Libraryspa5k/tafsir_apiMITtaken 2026-10-21

Verse 97

ٱلْأَعْرَابُ أَشَدُّ كُفْرًا وَنِفَاقًا وَأَجْدَرُ أَلَّا يَعْلَمُوا۟ حُدُودَ مَآ أَنزَلَ ٱللَّهُ عَلَىٰ رَسُولِهِۦ ۗ وَٱللَّهُ عَلِيمٌ حَكِيمٌ 97

Beduinët janë më të zhyturit në mohim e hipokrizi dhe janë më të prirurit për të mos i njohur dispozitat që Allahu ia zbriti të Dërguarit të Tij. Allahu është i Gjithëditur e i Urtë. -Beduinë quhen banorët e shkretëtirës dhe të zonave të largëta, larg qyteteve ose përqendrimeve të mëdha të njerëzve. Kjo kategori karakterizohet nga një mosbesim më i madh dhe më i theksuar në fe, për shkaqe të shumta. Për shembull, ata janë më larg diturisë dhe mundësive për ta arritur atë. Dituria rreth besimit, ligjeve dhe dispozitave të fesë, rreth veprave e cilësive të larta të besimit janë më të huaja për ta. I Lartësuari thotë se ata janë më të prirur që të mos i njohin kufijtë dhe ligjet që Ai i shpalli Profetit të Tij. Përmes Shpalljes, Allahu i Lartësuar i zbriti Profetit parimet e besimit, por edhe ligje fetare për shoqërinë. Por njerëzit larg qytetërimit dhe diturisë nuk janë në kontakt me këto njohuri, ndryshe nga njerëzit e qyteteve dhe vendbanimeve të gjera. Njerëzit që janë në kontakt më të ngushtë me diturinë e shpallur nga Zoti janë më pranë njohjes së kufijve të Tij. Kjo dituri u mundëson dy gjëra: 1. Një koncept më të drejtë për realitetin dhe të mirën. 2. Kultivim të motiveve të mira dhe të dobishme. Këto mirësi nuk mund t'i kenë ata që janë larg diturisë. Nga ana tjetër, qytetarët karakterizohen nga një karakter i butë, natyrë e qetë dhe lehtësisht e përshtatshme. Ata janë të arsyeshëm dhe binden lehtë kur u afrohet e mira, ndryshe nga banorët e shkretëtirave dhe larg qyteteve, të cilët janë të ngurtë, të ashpër, të vrazhdë, të pabindur dhe nuk pranojnë këshillën e mirë. Në fakt, kudo ka qafirë dhe munafikë, por ata i gjen më tepër larg qytetit. Gjithashtu, beduinët janë më të dhënë pas pasurisë, si edhe koprracë, kur është fjala për të shpenzuar atje ku urdhëron Zoti.