Al-A'raaf
This is a tafsīr in a language other than Arabic as the Quranic Universal Library (QUL, by Tarteel) has it, taken through the open copy of QUL’s data that spa5k/tafsir_api keeps. QUL’s record does not say who wrote or translated it or which printed edition it follows, and states no licence for the text, so the right to show it is not verified. Nobody has compared it with a printed book, and no scholar has reviewed it. Each passage stands beside the verses it comments on, which are the Qur’ān text of Tanzil, shown as it is there. Sabīl did not write or translate any of it.
Text fromQuranic Universal Libraryspa5k/tafsir_apiMITtaken 2026-10-21
أَوَعَجِبْتُمْ أَن جَآءَكُمْ ذِكْرٌ مِّن رَّبِّكُمْ عَلَىٰ رَجُلٍ مِّنكُمْ لِيُنذِرَكُمْ ۚ وَٱذْكُرُوٓا۟ إِذْ جَعَلَكُمْ خُلَفَآءَ مِنۢ بَعْدِ قَوْمِ نُوحٍ وَزَادَكُمْ فِى ٱلْخَلْقِ بَصْۜطَةً ۖ فَٱذْكُرُوٓا۟ ءَالَآءَ ٱللَّهِ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ 69
Vallë, po habiteni që udhëzimi nga Zoti juaj ju erdhi përmes një njeriu prej jush, si paralajmërim? - Ju nuk duhet të çuditeni që Allahu dërgoi një burrë nga mesi juaj, të cilin ju e njihni shumë mirë dhe i cili ju tregon se çfarë ju mundëson lumturinë në të dyja jetët. Ai thjesht ju nxit që të bëni mirë dhe të ruheni nga të këqijat, prandaj nuk keni pse habiteni. Nëse ju silleni në mënyrë të tillë, atëherë kjo nuk është thjesht habi, por një mohim i qartë dhe i pajustifikueshëm.Kujtoni se si Ai ju bëri sundues pas popullit të Nuhut dhe jua shtoi fuqinë fizike! -Lavdërojeni Zotin tuaj dhe shprehini mirënjohjen e plotë për të gjitha këto mirësi të pashembullta. Ai ju mundësoi pushtet të gjerë në tokë dhe ju vendosi në vendet e atyre popujve që, më herët, mohuan profetin e tyre, prandaj Allahu i shkatërroi. Zoti juaj ju vendosi në tokë për t’ju sprovuar se si do të punoni. Kini kujdes, që të mos vazhdoni me mohimin e shpalljeve të Zotit, ashtu si vepruan popujt para jush, që u shkatërruan, sepse atëherë edhe ju do të goditeni njëlloj si ata!Kujtoni të mirat e Allahut, që të gjeni shpëtim!” - Kujtoni mirësinë e Allahut, që ishte e veçantë për ju, duke ju dalluar nga të tjerët! Ai ju shtoi forcën fizike dhe parametrat truporë si askujt tjetër. Allahu ju pajisi me fuqi luftarake të pakrahasueshme. Mos i harroni këto mirësi e shumë të tjera, me të cilat Allahu ju dalloi! Nëse tregoheni mirënjohës, do të arrini shpëtimin dhe suksesin në dynja dhe në ahiret. Kështu, profeti Hud (a.s) e këshilloi popullin e tij për të qenë mirënjohës, për të bërë vepra të mira dhe për teuhid të pastër. Ai u kujtoi edhe një cilësi të tijën, si profet i zgjedhur dhe i sinqertë - dhembshurinë dhe dashamirësinë për popullin e tij. Pikërisht për shkak të kësaj dhembshurie dhe dashamirësie, Hudi (a.s) i paralajmëroi që të mos e shpërfillnin ndëshkimin e rëndë të Zotit, në mënyrë që të mos ndëshkoheshin edhe ata ashtu si popujt para tyre. Por me gjithë këto këshilla të mrekullueshme dhe pavarësisht mirësive të shumta të Zotit që profeti u kujtoi, ata nuk pranuan t'i përgjigjeshin ftesës.