Skip to content
Tafsir As-Saadi · Al-An'aam
Sūrah 6

Al-An'aam

This is a tafsīr in a language other than Arabic as the Quranic Universal Library (QUL, by Tarteel) has it, taken through the open copy of QUL’s data that spa5k/tafsir_api keeps. QUL’s record does not say who wrote or translated it or which printed edition it follows, and states no licence for the text, so the right to show it is not verified. Nobody has compared it with a printed book, and no scholar has reviewed it. Each passage stands beside the verses it comments on, which are the Qur’ān text of Tanzil, shown as it is there. Sabīl did not write or translate any of it.

Text fromQuranic Universal Libraryspa5k/tafsir_apiMITtaken 2026-10-21

Verse 52

وَلَا تَطْرُدِ ٱلَّذِينَ يَدْعُونَ رَبَّهُم بِٱلْغَدَوٰةِ وَٱلْعَشِىِّ يُرِيدُونَ وَجْهَهُۥ ۖ مَا عَلَيْكَ مِنْ حِسَابِهِم مِّن شَىْءٍ وَمَا مِنْ حِسَابِكَ عَلَيْهِم مِّن شَىْءٍ فَتَطْرُدَهُمْ فَتَكُونَ مِنَ ٱلظَّـٰلِمِينَ 52

Mos i largo ata që e adhurojnë Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, me sinqeritet ndaj Tij. -Kurrë mos i largo prej teje dhe nga takimet e tua adhuruesit e sinqertë, duke synuar të shoqërohesh e të ulesh me të tjerë! Mos i largo ata nga vetja jote, sepse ata janë të rregullt me duatë ndaj Zotit të tyre! Ata i drejtohen Atij me duatë e adhurimit dhe duatë e kërkesës së drejtpërdrejtë, në fillim e në fund të ditës. Me të gjitha këto, ata synojnë thjesht të kënaqin Allahun dhe nuk kanë asnjë qëllim tjetër. Kësisoj, ata nuk meritojnë të dëbohen, por përkundrazi, meritojnë t’i duash fort dhe të miqësohesh me ata. Ata meritojnë t’i mbash afër e t’i trajtosh me ngrohtësi e dhembshuri, sepse ata janë më të zgjedhurit e krijesave, edhe pse mund të jenë të varfër. Ata janë më krenarët, edhe nëse mund të shihen si të parëndësishëm dhe të rëndomtë nga njerëzit.Ti nuk mban përgjegjësi për asnjë nga veprat e tyre, ashtu si edhe ata nuk mbajnë përgjegjësi për veprat e tua. Nëse i largon ata, bëhesh si të padrejtët. -Kuptimi: Askush nuk do të mbajë përgjegjësi për veprat e tjetrit. Secili do të përgjigjet vetëm për punët e tija, të mira apo të këqija qofshin ato. Kështu, nuk ka asnjë arsye që t’i largosh ata, përndryshe do të ishe i padrejtë. Profeti (a.s)e zbatoi plotësisht dhe me shumë përkushtim këtë urdhër të Allahut. Kur pranë tij uleshin të varfërit, ai qëndronte me ta me durim, duke u sjellë me ngrohtësi e plot përkujdesje, me moralin më të lartë. Mund të thuhet pa ngurrim se të tillë njerëz i gjeje vazhdimisht në kuvendet e tij. Shkaku i shpalljes së këtyre ajeteve ishte kërkesa që disa pasanikë e fisnikë të kurejshëve i kërkuan Profetit a.s. Ata i thoshin shpesh: "Nëse dëshiron që të të besojmë dhe pasojmë, atëherë largoji ata (duke folur për disa sahabë të varfër)! Ne na vjen turp të na shohin arabët në një kuvend me ata varfanjakë.” Profeti a.s, duke dëshiruar shumë që ata të pasonin rrugën e drejtë, për pak mendoi për mundësinë e zbatimit të propozimit të tyre. Por Allahu i Madhëruar e qortoi dhe e udhëzoi Profetin e Tij nëpërmjet këtyre ajeteve.Lutjet dhe duatë e robit janë dy llojesh. Shiko shpjegimin në ajetin 186 të sures El bekare.