Skip to content
Tafsir As-Saadi · Az-Zumar
Sūrah 39

Az-Zumar

This is a tafsīr in a language other than Arabic as the Quranic Universal Library (QUL, by Tarteel) has it, taken through the open copy of QUL’s data that spa5k/tafsir_api keeps. QUL’s record does not say who wrote or translated it or which printed edition it follows, and states no licence for the text, so the right to show it is not verified. Nobody has compared it with a printed book, and no scholar has reviewed it. Each passage stands beside the verses it comments on, which are the Qur’ān text of Tanzil, shown as it is there. Sabīl did not write or translate any of it.

Text fromQuranic Universal Libraryspa5k/tafsir_apiMITtaken 2026-10-21

Verse 9

أَمَّنْ هُوَ قَـٰنِتٌ ءَانَآءَ ٱلَّيْلِ سَاجِدًا وَقَآئِمًا يَحْذَرُ ٱلْـَٔاخِرَةَ وَيَرْجُوا۟ رَحْمَةَ رَبِّهِۦ ۗ قُلْ هَلْ يَسْتَوِى ٱلَّذِينَ يَعْلَمُونَ وَٱلَّذِينَ لَا يَعْلَمُونَ ۗ إِنَّمَا يَتَذَكَّرُ أُو۟لُوا۟ ٱلْأَلْبَـٰبِ 9

A është njëlloj ai që kohën e natës e kalon në adhurim, duke bërë sexhde e duke qëndruar në këmbë, që i ruhet(dënimit të)botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet(me ata që nuk i bëjnë këto)? -Në këto ajete, Allahu i Madhëruar vendos përballë atë që e adhuron (bindet) dhe punon e jeton në bindje ndaj Tij dhe atë që nuk është i tillë; atë që është i ditur, me atë që është injorant. Të tilla krahasime janë të dobishme për mendjet e shëndosha, të cilat arrijnë të bëjnë qartë dallimin. Ato krijojnë bindjen se këta dy shembuj janë të ndryshëm dhe meritojnë të trajtohen ndryshe. I pabinduri që i ka kthyer shpinën adhurimit të Zotit dhe ndjek epshet e veta, kurrë nuk mund të jetë njësoj si ai që i është përkushtuar Zotit. I pari përkushtohet në adhurime të shumta, më e rëndësishmja e të cilave është falja e namazit. Ai zgjedh kohën më të mirë për këtë lloj adhurimi, gjatë natës. Ky është përshkrimi i të përzgjedhurve: ata bëjnë veprat më të mira, në formën dhe kohën më të mirë. Më pas, ata përshkruhen me dy cilësi: frika ndaj Zotit dhe shpresa për shpërblimin e Tij. Allahu i Lartësuar na tregon se nga frikësohen këta të zgjedhur. Ata frikësohen nga dënimi i ahiretit, për gjynahet që kanë kaluar. Ndërsa kur flet për shpresën, Ai na tregon se shpresa e tyre është e lidhur dhe me mëshirën e Allahut. Kështu na i përshkruan Allahu i Madhëruar këta fatlumë, me punët e shfaqura dhe me ndjenjat që fshihen brenda zemrave të tyre.Thuaj(O Muhamed): “A janë njëlloj ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” -Këta e njohin Zotin e tyre, e njohin mirë fenë dhe ligjet e saj, i dinë mirë kriteret e shpërblimit dhe ndëshkimit të Tij. Ata arrijnë të shikojnë dhe kuptojnë të fshehtat dhe urtësitë e Tij në të gjitha këto ligje. Ndërsa të paditurit nuk dinë asgjë nga këto dhe nuk e kuptojnë urtësinë e Zotit në ligjin e Tij. Atëherë, këto dy grupe nuk mund të jenë njëlloj, ashtu siç nuk janë njëlloj dita me natën, drita dhe errësira, uji dhe zjarri.Por vetëm të mençurit marrin mësim. -Ata që përfitojnë kur u tregohet vërteta dhe paralajmërohen, janë ata që Zoti i quan: "të mençurit", pra, ata që kanë mendje dhe logjikë të shëndetshme dhe të pastër. Ata dinë të dallojnë dhe t'i japin përparësi asaj që është e lartë, kundrejt asaj që është e ulët dhe e parëndësishme. Kështu, ata e vlerësojnë diturinë mbi injorancën, bindjen ndaj Zotit mbi kundërshtimin e Tij. Ata gjykojnë drejt dhe arrijnë të kuptojnë përfundimin e gjërave, ndryshe nga ata që nuk kanë logjikë dhe nuk dinë të mendojnë dhe gjykojnë me urtësi e mençuri. Të paditurit kanë për zot veçse epshet dhe dëshirat e tyre të shfrenuara. Vetëm atyre iu binden dhe i nënshtrohen dhe vetëm ato i adhurojnë.