Skip to content
Tafsir As-Saadi · Aal-i-Imraan
Sūrah 3

Aal-i-Imraan

This is a tafsīr in a language other than Arabic as the Quranic Universal Library (QUL, by Tarteel) has it, taken through the open copy of QUL’s data that spa5k/tafsir_api keeps. QUL’s record does not say who wrote or translated it or which printed edition it follows, and states no licence for the text, so the right to show it is not verified. Nobody has compared it with a printed book, and no scholar has reviewed it. Each passage stands beside the verses it comments on, which are the Qur’ān text of Tanzil, shown as it is there. Sabīl did not write or translate any of it.

Text fromQuranic Universal Libraryspa5k/tafsir_apiMITtaken 2026-10-21

Verse 96

إِنَّ أَوَّلَ بَيْتٍ وُضِعَ لِلنَّاسِ لَلَّذِى بِبَكَّةَ مُبَارَكًا وَهُدًى لِّلْعَـٰلَمِينَ 96

Shtëpia e parë e ndërtuar për njerëzit është ajo në Bekë (Mekë), plot bekime dhe udhëzuese për mbarë botën. -Allahu i Lartësuar na tregon këtu për madhështinë dhe mirësinë e Shtëpisë së Shenjtë në Mekë. Ajo është e para ndërtesë që Allahu i Lartësuar e përcaktoi për njerëzit si vend ku të kryejnë adhurimet e tyre për Krijuesin e dashur dhe të mëshirshëm. Gjithashtu, në këtë faltore adhurohet Zoti, falen gjynahet, mbulohen të metat, lëshimet dhe mangësitë. Tek ajo kryhen shumë lloje adhurimesh dhe përkushtimesh, nëpërmjet të cilave krijesat afrohen tek Allahu dhe fitojnë kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Atje fitohet shpërblimi i Allahut dhe shpëtohet prej ndëshkimit të Tij, prandaj Allahu i Lartësuar e ka cilësuar si “mubaraken” - plot bekime. Allahu i Lartësuar e ka përshkruar këtë shtëpi edhe me një cilësi tjetër: “udhëzuese për mbarë botën.”. Ka dy forma udhëzuesish: udhëzues drejt dijeve të vlefshme dhe udhëzues drejt veprave të mira. Sigurisht, Shtëpia e Shenjtë është udhëzuese për njerëzimin me të dyja format e lartpërmendura. Për sa u përket udhëzuesve që gjenden në këtë Shtëpi dhe në rrethinat e saj, çdo gjë është shumë e qartë. Atje janë shumë të qarta dhe të dukshme vendet ku duhet të kryhen ritet dhe përkushtimet e caktuara për Zotin e gjithësisë. Ndërsa për sa u përket udhëzuesve drejt dijeve të vlefshme, mund të themi se Qabja dhe rrethinat e saj të bukura janë të mbushura plot shenja dhe mrekulli të qarta. Atje ndodhen plot shenja, të cilat dëshmojnë për madhështinë, urtësinë, dijen dhe mëshirën e gjerë të Krijuesit të tyre. Prej tyre, ne kuptojmë qëllimet e larta dhe të urta të Krijuesit dhe Mëshiruesit të dashur. Në Shtëpinë e Shenjtë gjen shenja që flasin për njëshmërinë e Allahut në meritën e adhurimit. Atje gjen argumente rreth mëshirës, urtësisë dhe madhështisë së Allahut. Ato dëshmojnë për gjerësinë e dijes së Tij dhe për bamirësinë e pakufishme të Allahut për adhuruesit e Tij. Ato tregojnë, gjithashtu, për mirësitë e shumta që Ai u ka dhuruar të dashurve dhe profetëve të Tij. Ndër shenjat dhe argumentet që na udhëzojnë drejt dijeve të vlefshme, Allahu i Lartësuar përmend: