Skip to content
Tafsir As-Saadi · Aal-i-Imraan
Sūrah 3

Aal-i-Imraan

This is a tafsīr in a language other than Arabic as the Quranic Universal Library (QUL, by Tarteel) has it, taken through the open copy of QUL’s data that spa5k/tafsir_api keeps. QUL’s record does not say who wrote or translated it or which printed edition it follows, and states no licence for the text, so the right to show it is not verified. Nobody has compared it with a printed book, and no scholar has reviewed it. Each passage stands beside the verses it comments on, which are the Qur’ān text of Tanzil, shown as it is there. Sabīl did not write or translate any of it.

Text fromQuranic Universal Libraryspa5k/tafsir_apiMITtaken 2026-10-21

Verse 59

إِنَّ مَثَلَ عِيسَىٰ عِندَ ٱللَّهِ كَمَثَلِ ءَادَمَ ۖ خَلَقَهُۥ مِن تُرَابٍ ثُمَّ قَالَ لَهُۥ كُن فَيَكُونُ 59

Rasti i Isait tek Allahu, është sikurse rasti i Ademit, të cilin Ai e krijoi nga dheu, e pastaj i tha: “Bëhu!” dhe ai u bë. -Allahu i Lartësuar sjell një argument shumë të thjeshtë dhe të kuptueshëm për t’u qartësuar të krishterëve gabimin e tyre trashanik dhe të papranueshëm. Ata thonë për Isain (a.s.) diçka të pavërtetë, duke mos pasur asnjë argument ku mund të mbështeten, madje atyre nuk u lejohet as ta mendojnë një gjë të tillë. Shikoni se çfarë argumentimi qesharak sjellin të krishterët për të vërtetuar se Isai (a.s.) është “bir” i Zotit. Sipas tyre, meqë Isai (a.s.) nuk pati baba biologjik, atëherë ai ishte biri i Zotit dhe, si i tillë, ai ka cilësi të njëjta me Atin. Subhanallah! Ky nuk vlen të quhet as keqkuptim, jo më të jetë një argument i mirëfilltë për një temë kaq delikate. Ne mund të themi të njëjtën gjë edhe për krijesat e tjera të Zotit. Ato janë thjesht krijesa të të Plotfuqishmit. Ato tregojnë se i vetmi Krijues e Furnizues, që përkujdeset për ta dhe administron çështjet e tyre është Allahu Absolut e Madhështor. Të gjitha shkaqet dhe pasojat i nënshtrohen dëshirës dhe vullnetit të Tij të padiskutueshëm. Asgjë nuk del jashtë vullnetit të Tij. Të krishterët mendojnë se lindja e Isait (a.s.) pa baba biologjik është argument mbështetës i tezës së tyre të gabuar, ndërkohë që, faktikisht, ai është argument kundër tyre. Ai tregon se Allahu i Lartësuar dhe i Gjithëpushtetshëm është aq i Madhërishëm në pushtetin dhe mbretërimin e Tij saqë askush nuk mund t’i afrohet në emrat, cilësitë dhe veprat e Tij. Them nuk mund t’i afrohet, e jo më të jetë i njëjtë me Të. Allahu i Lartësuar ka krijuar diçka më të çuditshme sesa Isain. Ai e krijoi Ademin (a.s.) prej dheu, pa nënë dhe pa baba. Atëherë, nëse Ademi nuk mund të jetë fëmijë i Zotit dhe i barabartë me Të, pse duhet që të jetë Isai (a.s.)?! Duke përdorur logjikën e tyre të papjekur, duhet ta pranonim Ademin si fëmijë të Zotit dhe të barabartë me Të. Por nëse nuk e pranojmë një gjë të tillë për Ademin (a.s.), atëherë për Isain nuk duhet të kenë diskutime, sepse ai të paktën e kishte një nënë. Prandaj thotë i Lartësuari: