انتقل إلى المحتوى
Tafsir As-Saadi · غافر
السورة ٤٠

غافر

هذا تفسير بلغة غير العربية كما هو في Quranic Universal Library (واختصارها QUL، من Tarteel)، مأخوذًا من النسخة المفتوحة لبيانات QUL التي يحتفظ بها spa5k/tafsir_api. لا يذكر سجلّ QUL من كتبه أو ترجمه ولا أي طبعة مطبوعة يتبعها، ولا يذكر ترخيصًا للنص، ولذلك لم يُتحقق من حق عرضه. لم يقارنه أحد بكتاب مطبوع، ولم يراجعه أحد من العلماء. يقف كل مقطع بجانب الآيات التي يعلّق عليها، وهي نص القرآن من Tanzil كما هو عنده. لم يكتب سبيل شيئًا منه ولم يترجمه.

النص منQuranic Universal Libraryspa5k/tafsir_apiMITأُخذ في 2026-10-21

الآية ٢٨

وَقَالَ رَجُلٌ مُّؤْمِنٌ مِّنْ ءَالِ فِرْعَوْنَ يَكْتُمُ إِيمَـٰنَهُۥٓ أَتَقْتُلُونَ رَجُلًا أَن يَقُولَ رَبِّىَ ٱللَّهُ وَقَدْ جَآءَكُم بِٱلْبَيِّنَـٰتِ مِن رَّبِّكُمْ ۖ وَإِن يَكُ كَـٰذِبًا فَعَلَيْهِ كَذِبُهُۥ ۖ وَإِن يَكُ صَادِقًا يُصِبْكُم بَعْضُ ٱلَّذِى يَعِدُكُمْ ۖ إِنَّ ٱللَّهَ لَا يَهْدِى مَنْ هُوَ مُسْرِفٌ كَذَّابٌ ٢٨

Ky burrë besimtar me mendje të ndritur dhe besim në zemër, duke treguar shëmtinë e veprave të popullit të tij, si dhe padrejtësinë e vendimit që kishin marrë për vrasjen e Musait, thotë:Një besimtar nga familja e Faraonit, që e fshihte besimin e vet, tha: “A doni ta vrisni një njeri vetëm pse thotë: 'Zoti im është Allahu', ...” -Kuptimi: Si është e mundur t’i lejojmë vetes vrasjen e një personi të tillë? Cili është krimi i tij? Vallë, konsiderohet krim vetëm sepse ai thotë: “Zoti im është Allahu?!” Kjo është thjesht një fjalë goje e thënë nga ai. Musai (a.s.) kishte sjellë argumente dhe shenja të mrekullueshme, që dëshmonin për vërtetësinë e tij, prandaj besimtari tha:“...ndërkohë që ju ka sjellë Argumente të Qarta prej Zotit tuaj?” -Aq të qarta ishin bërë mrekullitë dhe shenjat që Musai solli, saqë ato diheshin dhe diskutoheshin nga të gjithë, të mëdhenj e të vegjël. Pra, - thoshte besimtari - mendohuni mirë në vendimin tuaj. Këto fakte nuk duhet t’ju lejojnë që ta vrisni. Nuk është kjo ajo që ai meriton. Fillimisht, arsyetoni qëndrimin tuaj mohues, e pas kësaj shikoni, a meriton vrasjen apo jo. Nëse arrini të vërtetoni saktësinë e qëndrimit tuaj dhe mohimin e ftesës së tij, ndoshta do të ishte e drejtë ta vrisnit. Ama, nëse argumentet e tij mbeten të pacenuara, ose qëndrojnë shumë më lart se kaq, atëherë nuk mund të lejoni vrasjen e tij, sepse është tërësisht e padrejtë. Pastaj ai u tha diçka shumë të mençur, që bind çdo njeri me logjikë. Ai bëri një supozim:“Po të jetë gënjeshtar, mbi të do të rëndojë gjynahu për gënjeshtrën e vet. Por nëse thotë të vërtetën, juve do t’ju godasë diçka nga ajo me të cilën ai ju paralajmëron.” -Pra, për Musain (a.s) ka dy mundësi: ose është mashtrues e gënjeshtar, ose është i sinqertë dhe i vërtetë në atë që thotë e pretendon. Nëse është mashtrues, atëherë mashtrimi rëndon mbi të dhe vetëm mbi të. Ju nuk dëmtoheni aspak nga mospranimi i një gënjeshtari. Por nëse ai është i vërtetë në atë që thotë, - madje ju ka sjellë edhe shenja e mrekulli nga Zoti, edhe ju ka paralajmëruar që, nëse nuk i bindeni e nuk e besoni, juve do t’ju godasë ndëshkimi nga Zoti, në dynja dhe në ahiret, - atëherë ju do të goditeni realisht nga ky ndëshkim, qoftë edhe nga një pjesë e tij, siç është ndëshkimi në dynja. Kjo tregon për mendjen e ndritur të këtij njeriu, që e përdor për të mbrojtur Musain. Ai e trajtoi situatën në një mënyrë që ata të mendoheshin dhe të kuptonin se zgjidhja ishte mes dy mundësive, të cilat e përjashtonin vrasjen si një veprim të zgjuar. Kështu, ai i bëri të mendonin dhe gjykonin se vrasja e Musait në të dyja rastet do të ishte e kotë dhe mendjelehtësi. Më pas ky burrë i zgjuar dhe besimtar, - Allahu e mëshiroftë, e faltë dhe qoftë i kënaqur prej tij! - për sa i përket mbrojtjes që i bën Musait, kalon në një nivel tjetër më të qartë dhe më të drejtpërdrejtë. Ai aludon se Musai (a.s), me cilësitë e mira dhe besnikërinë që ka, është më pranë të vërtetës. Ai tha:“Por të jeni të bindur se Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që i shkel kufijtë dhe është gënjeshtar.” -Allahu nuk i udhëzon në rrugën e drejtë ata që kanë dy cilësi. Së pari, ata janë teprues, sepse tejkalojnë kufijtë e Zotit me braktisjen e të vërtetës dhe me përqafimin e të kotës. Së dyti, ata janë mashtrues, të cilët e reklamojnë shfrenimin e tyre si diçka të këshilluar nga Zoti. Të tillë njerëz Zoti nuk i udhëzon tek e vërteta dhe, aq më pak, t’i ndihmojë me shenja e mrekulli bindëse. Ai nuk u jep atyre sukses për të ndjekur dhe vërtetuar rrugën e saktë dhe të drejtë. Kjo është logjika më e thjeshtë dhe e pastër. Tani, - u drejtohet besimtari atyre, - është radha juaj të mendoheni pak për realitetin. Ju i kuptoni mirë fjalët e Musait dhe jeni të bindur se ato janë të drejta dhe të vërteta. Zoti i dha atij argumente logjike dhe mrekulli të jashtëzakonshme, që provojnë vërtetësinë e tyre. Kësisoj, ai që ka patur një mbështetje të tillë të jashtëzakonshme nga Allahu nuk mund të jetë kurrë njeri i shfrenuar e mashtrues. Mendohuni me qetësi për këto që po ju them! Ky qëndrim i besimtarit tregonte se ai ishte burrë i mençur dhe shumë i ditur rreth Zotit. Pastaj ai kaloi në një këshillë të hapur drejtuar popullit të tij, duke i kërcënuar për ndëshkimin e rëndë dhe të frikshëm të ahiretit. Ai i këshilloi dhe paralajmëroi që të mos mashtroheshin dhe të vetëkënaqeshin nga pushteti e pasuria që u ishte dhënë në këtë dynja, e të shpërfillin ahiretin: